Monday, March 21, 2016

Doktrina e Utilitarizmit


UTILITARIZMI

Utilitarizmi është doktrinë filozofike mbi moralin që bazohet në parimin e dobisë. Si e tillë, kjo doktrinë filozofike synon të sqarojë se cilat veprime janë të dobishme për shoqërinë, për interesin e përgjithshëm dhe për vetë individët.
Për të kuptuar ideologjinë utilitariste është e domosdoshme të lexohen pikëpamjet e dy filozofëve anglezë Jeremy Bentham dhe Xhon Stuart Mill si ithëtarë kryesorë të kësaj ideologjie.
Bazuar në pikëpamjet e Jeremy Bentham, njerëzimi udhëhiqet nga dhembja dhe kënaqësia. Sipas tij këto janë forcat e vetme të cilat e detyrojnë njeriun më shumë se çdo forcë tjetër, prandaj çdo ligjvënës duhet t’i ketë parasysh pikërisht dhembjen dhe kënaqësinë me rastin e sanksionimit të ligjeve. Sipas Benthamit i dobishëm do të jetë vetëm ai ligj apo ai veprim i cili do të shtojë kënaqësinë e individit apo të bashkësisë dhe që do të pakësojë dhembjen e tij, respektivisht të saj. Kjo nënkupton edhe parimin e dobisë si parim bazik i doktrinës utilitariste.
Bentham e përkufizon dobinë si veti të çdo objekti që sjell përfitim, përparësi, kënaqësi, mirësi apo lumturi dhe që parandalon dëmin, të keqen ose hidhërimin e individit.
Diçka vlerësohet si e dobishme për individin nëse ajo gjë priret të shtojë kënaqësitë e individit dhe të pakësojë dhembjen e tij, prandaj çdo gjë e cila është e dobishme për individin ka vlerë dhe nuk duhet që në asnjë mënyrë ti mohohet njohja e të drejtës së shfrytëzimit të asaj dobie sepse në këtë rast do ti mohohej vetë kënaqësia apo lumturia e atij individi.
Bentham thekson se pikërisht kënaqësitë dhe dhembjet janë ato që kanë potencialin ti japin forcë detyruese çdo ligji, prandaj burimet e kënaqësisë dhe dhembjes i quan si sanksionime. Ai përmend katër lloje kryesore te burimeve apo sankisoneve të kënaqësisë dhe dhembjes: sanksionimin fizik, politik, moral dhe fetar.
Duke marrë shembullin e djegies së pasurisë së një individi, ai i sqaron këto katër sanksionime dukë theksuar se nëse djegia e pasurisë ka ndodhur aksidentalisht atëherë kjo për individin paraqet një fatkeqësi. Nëse pasuria i është djegur nga pakujdesia e tij, atëherë dhembja do të burojë nga sanksionimi fizik, sepse ai veten do ta konsideroj fajtor për atë që ka ndodhur. Nëse individit i është shkatërruar pasuria shkaku i ndonjë vendimi shtetëror, ai do ta konsideroj se kjo dhembje i është shkaktuar nga sanksionimi politik, pra nga dënimi që ia ka shqiptuar funksionari shtetëror. Nëse pasuria e individit është djegur shkaku që asnjë nga fiqnjët e tij nuk i ka ndihmuar ta tejkalojë këtë situatë, ai këtë do e ndjej si sanksionim moral sepse buron nga vetë rrethi ku ai jeton, pasiqë është përjashtuar nga ndihma shkaku që fqinjët e tij nuk e konsiderojnë si person të mirë. Dhe në fund, nëse individi mendon se kjo dhembje i ka ndodhur si pasojë e pakënaqësisë së Perëndisë me të, për shkak të ndonjë mëkati të bërë, atëherë në këtë rast kemi të bëjmë më sanksionim fetar.
Një çështje të rëndësishme me të cilën është  marrë Jeremy Bentham është edhe çështja e ndëshkimit të shkeljeve të ligjit, pra se çfarë duhet të jenë dënimet.
Bentham i konsideron dënimet si veprime të cilat shkaktojnë dhembje për individët dhe shkaktojnë pakënaqësi tek ta, prandaj duke qenë se janë në kundërshtim me parimin e dobisë që e përmendëm ma herët, dënimet duhet të jenë të arsyeshme. Bentham thotë se çdo dënim paraqet një dëm, një të keqe, prandaj dënimet duhen lejuar vetëm për aq sa përjashtojnë një të keqe më të madhe.
Kësisoj dënimi nuk duhet të jetë asesi i pabazuar, pra që të ndëshkojë diçka që në të vërtetë nuk është dëmshme. Gjithashtu dënimi nuk duhet të jetë i pafrytshëm, i panevojshëm dhe i paleverdishëm. Një dënim është i pafrytshëm nëse nuk e parandalon dëmin, është i panevojshëm nëse dëmi do të riparohej vetëvetiu edhe pa zbatimin e dënimit, si dhe është i palverdishëm nëse është shumë i kushtueshëm dhe shkakton më shumë dëm sesa që parandalon.
Sipas Bentham duhet të jenë katër qëllime kryesore të dënimit: qëllimi i parë i dënimit duhet të jetë që të parandalojë shkeljet e ligjit, qëllimi i dytë është që të ndalojë më të keqen, qëllimi i tretë është që të ulë dëmet si dhë qëllimi i katërt është që dënimi të ketë kosto të ulët, pra të parandalojë shkeljet me koston më të vogël të mundshme.
Sipas kësaj shihet se Bentham e vë theksin në parandalimin e shkeljeve të dënimit më shumë sesa në ndëshkimin e tyre. Madje Bentham konsideron se qëllim i dënimit mund të jetë edhe të bindet individi i cili ka shkkaktuar dëm, që në të ardhmen të shkaktoj më pak dëm me veprimet e tij përmes të cilave mendon se i sjellin përfitim ose kënaqësi. Kjo nënkupton se Bentham është i pajtimit se anjë dënim nuk mund të arrijë efektin që në mënyrë të plotë ta shmangë individin që në të ardhmen të mos e kryej prapë atë dëm, por të pakten të arrijë që ta bind që veprimet e tij të ardhshme të shkaktojnë sa më pak dëm.
Kjo na bën të kuptojmë se individët e shohin arritjen e përfitimit dhe të kënaqësisë edhe përmes shkeljes së ligjit dhe shkaktimit të dëmit. Mirëpo nëse me këto veprime i është shkaktuar pakënaqësi apo dhembje një apo disa individëve tjerë, atëherë këto veprime janë në kundërshtim me parimin e dobisë.
Bazuar ne këto pikëpamje të Benthamit në lidhje me dënimet, mund të themi se këto paraqesin bazën e parimeve që sot aplikohen në legjislacionet penale të shteteve bashkëkohore, e sidomos këto pikëpamje ndërlidhen me parimin e ri-socializimit dhe ri-integrimit të kryesit të veprave penale, që do të thotë se qëllimi i zbatimit të dënimeve nuk duhet të jetë vetëm hakmarrës apo retributiv, por kryesi i veprës penale apo shkelësi i ligjit të dënohet me qëllim që në të ardhmen të përmirësohet dhe të bindet që të mos bëj shkelje te tilla.
 Të njëjtat ide sikurse Bentham i mbron edhe John Stuart Mill, i cili thekson se veprimet janë të drejta nëse synojnë arritjen e lumturisë, kurse veprimet janë të gabuara nëse synojnë ta arrijnë të kundërtën e lumturisë.
Mill thekson se çdo individ duhet të synoj arritjen e lumturisë maksimale dhe kjo e drejtë nuk duhet ti mohohet. Përjashtimisht lumturia e një individi duhet të kufizohet vetëm atëherë kur synohet të arrihet lumturia e përgjithshme, pra për të mirën e përgjithshme.
Kurse në lidhje me moralin, Mills thotë se çdo individ para se të bëjë një veprim që afekton në individët tjerë duhet të mendojë se a do ishte ai veprim i mirë apo i keq për vetëveten e tij. Në këtë mënyrë një individ nuk do ti bëj dëm asnjë individi tjetër sepse nuk do të dëshironte që ky veprim ti ketë ndodhur vet atij.
            Ajo çka mund të kuptojmë përmes këtyre dy autorëve dhe pikëpamjeve të tyre është se e drejta e lumturisë së individëve është një e drejtë të cilës i duhet dhënë prioritet ndaj të drejtave tjera, sepse vetë lumturia përfshin të drejtat themelore të çdo individi.

            Lumturia për një individ nënkupton mirëqenie, siguri, karrierë të suksesshme, pasuri dhe shumë të mira të tjera që e bëjnë një individ të jetë i kënaqur dhe i lumtur. Sipas Bentham dhe Mills, lumturia është vlera më e lartë për një individ dhe që ka më së shumti rëndësi për të, prandaj lumturia është dobia më e madhe dhe si e këtillë duhet të mbrohet nga ligji e të mos i cenohet askujt, përjashtimisht kur mbrohet dobia e përgjithshme e shoqërisë.