UTILITARIZMI
Utilitarizmi është doktrinë filozofike mbi moralin që bazohet në parimin e dobisë. Si e tillë, kjo doktrinë filozofike synon të sqarojë se cilat veprime janë të dobishme për shoqërinë, për interesin e përgjithshëm dhe për vetë individët.
Për të
kuptuar ideologjinë utilitariste është e domosdoshme të lexohen pikëpamjet e dy
filozofëve anglezë Jeremy Bentham dhe Xhon Stuart Mill si ithëtarë kryesorë të
kësaj ideologjie.
Bazuar
në pikëpamjet e Jeremy Bentham, njerëzimi udhëhiqet nga dhembja dhe kënaqësia.
Sipas tij këto janë forcat e vetme të cilat e detyrojnë njeriun më shumë se çdo
forcë tjetër, prandaj çdo ligjvënës duhet t’i ketë parasysh pikërisht dhembjen
dhe kënaqësinë me rastin e sanksionimit të ligjeve. Sipas Benthamit i dobishëm
do të jetë vetëm ai ligj apo ai veprim i cili do të shtojë kënaqësinë e
individit apo të bashkësisë dhe që do të pakësojë dhembjen e tij, respektivisht
të saj. Kjo nënkupton edhe parimin e dobisë si parim bazik i doktrinës
utilitariste.
Bentham
e përkufizon dobinë si veti të çdo objekti që sjell përfitim, përparësi, kënaqësi,
mirësi apo lumturi dhe që parandalon dëmin, të keqen ose hidhërimin e
individit.
Diçka
vlerësohet si e dobishme për individin nëse ajo gjë priret të shtojë kënaqësitë
e individit dhe të pakësojë dhembjen e tij, prandaj çdo gjë e cila është e
dobishme për individin ka vlerë dhe nuk duhet që në asnjë mënyrë ti mohohet
njohja e të drejtës së shfrytëzimit të asaj dobie sepse në këtë rast do ti mohohej
vetë kënaqësia apo lumturia e atij individi.
Bentham
thekson se pikërisht kënaqësitë dhe dhembjet janë ato që kanë potencialin ti
japin forcë detyruese çdo ligji, prandaj burimet e kënaqësisë dhe dhembjes i
quan si sanksionime. Ai përmend katër lloje kryesore te burimeve apo
sankisoneve të kënaqësisë dhe dhembjes: sanksionimin fizik, politik, moral dhe
fetar.
Duke
marrë shembullin e djegies së pasurisë së një individi, ai i sqaron këto katër
sanksionime dukë theksuar se nëse djegia e pasurisë ka ndodhur aksidentalisht
atëherë kjo për individin paraqet një fatkeqësi. Nëse pasuria i është djegur
nga pakujdesia e tij, atëherë dhembja do të burojë nga sanksionimi fizik, sepse
ai veten do ta konsideroj fajtor për atë që ka ndodhur. Nëse individit i është
shkatërruar pasuria shkaku i ndonjë vendimi shtetëror, ai do ta konsideroj se
kjo dhembje i është shkaktuar nga sanksionimi politik, pra nga dënimi që ia ka
shqiptuar funksionari shtetëror. Nëse pasuria e individit është djegur shkaku që
asnjë nga fiqnjët e tij nuk i ka ndihmuar ta tejkalojë këtë situatë, ai këtë do
e ndjej si sanksionim moral sepse buron nga vetë rrethi ku ai jeton, pasiqë është
përjashtuar nga ndihma shkaku që fqinjët e tij nuk e konsiderojnë si person të
mirë. Dhe në fund, nëse individi mendon se kjo dhembje i ka ndodhur si pasojë e
pakënaqësisë së Perëndisë me të, për shkak të ndonjë mëkati të bërë, atëherë në
këtë rast kemi të bëjmë më sanksionim fetar.
Një çështje
të rëndësishme me të cilën është marrë
Jeremy Bentham është edhe çështja e ndëshkimit të shkeljeve të ligjit, pra se
çfarë duhet të jenë dënimet.
Bentham
i konsideron dënimet si veprime të cilat shkaktojnë dhembje për individët dhe
shkaktojnë pakënaqësi tek ta, prandaj duke qenë se janë në kundërshtim me
parimin e dobisë që e përmendëm ma herët, dënimet duhet të jenë të arsyeshme.
Bentham thotë se çdo dënim paraqet një dëm, një të keqe, prandaj dënimet duhen
lejuar vetëm për aq sa përjashtojnë një të keqe më të madhe.
Kësisoj
dënimi nuk duhet të jetë asesi i pabazuar, pra që të ndëshkojë diçka që në të vërtetë
nuk është dëmshme. Gjithashtu dënimi nuk duhet të jetë i pafrytshëm, i
panevojshëm dhe i paleverdishëm. Një dënim është i pafrytshëm nëse nuk e
parandalon dëmin, është i panevojshëm nëse dëmi do të riparohej vetëvetiu edhe
pa zbatimin e dënimit, si dhe është i palverdishëm nëse është shumë i kushtueshëm
dhe shkakton më shumë dëm sesa që parandalon.
Sipas
Bentham duhet të jenë katër qëllime kryesore të dënimit: qëllimi i parë i dënimit
duhet të jetë që të parandalojë shkeljet e ligjit, qëllimi i dytë është që të
ndalojë më të keqen, qëllimi i tretë është që të ulë dëmet si dhë qëllimi i katërt
është që dënimi të ketë kosto të ulët, pra të parandalojë shkeljet me koston më
të vogël të mundshme.
Sipas kësaj
shihet se Bentham e vë theksin në parandalimin e shkeljeve të dënimit më shumë
sesa në ndëshkimin e tyre. Madje Bentham konsideron se qëllim i dënimit mund të
jetë edhe të bindet individi i cili ka shkkaktuar dëm, që në të ardhmen të
shkaktoj më pak dëm me veprimet e tij përmes të cilave mendon se i sjellin përfitim
ose kënaqësi. Kjo nënkupton se Bentham është i pajtimit se anjë dënim nuk mund
të arrijë efektin që në mënyrë të plotë ta shmangë individin që në të ardhmen të
mos e kryej prapë atë dëm, por të pakten të arrijë që ta bind që veprimet e tij
të ardhshme të shkaktojnë sa më pak dëm.
Kjo na
bën të kuptojmë se individët e shohin arritjen e përfitimit dhe të kënaqësisë
edhe përmes shkeljes së ligjit dhe shkaktimit të dëmit. Mirëpo nëse me këto
veprime i është shkaktuar pakënaqësi apo dhembje një apo disa individëve tjerë,
atëherë këto veprime janë në kundërshtim me parimin e dobisë.
Bazuar
ne këto pikëpamje të Benthamit në lidhje me dënimet, mund të themi se këto
paraqesin bazën e parimeve që sot aplikohen në legjislacionet penale të
shteteve bashkëkohore, e sidomos këto pikëpamje ndërlidhen me parimin e
ri-socializimit dhe ri-integrimit të kryesit të veprave penale, që do të thotë
se qëllimi i zbatimit të dënimeve nuk duhet të jetë vetëm hakmarrës apo
retributiv, por kryesi i veprës penale apo shkelësi i ligjit të dënohet me qëllim
që në të ardhmen të përmirësohet dhe të bindet që të mos bëj shkelje te tilla.
Të njëjtat ide sikurse Bentham i mbron edhe
John Stuart Mill, i cili thekson se veprimet janë të drejta nëse synojnë
arritjen e lumturisë, kurse veprimet janë të gabuara nëse synojnë ta arrijnë të
kundërtën e lumturisë.
Mill
thekson se çdo individ duhet të synoj arritjen e lumturisë maksimale dhe kjo e
drejtë nuk duhet ti mohohet. Përjashtimisht lumturia e një individi duhet të
kufizohet vetëm atëherë kur synohet të arrihet lumturia e përgjithshme, pra për
të mirën e përgjithshme.
Kurse në
lidhje me moralin, Mills thotë se çdo individ para se të bëjë një veprim që
afekton në individët tjerë duhet të mendojë se a do ishte ai veprim i mirë apo
i keq për vetëveten e tij. Në këtë mënyrë një individ nuk do ti bëj dëm asnjë
individi tjetër sepse nuk do të dëshironte që ky veprim ti ketë ndodhur vet
atij.
Ajo çka mund të kuptojmë përmes këtyre dy autorëve dhe
pikëpamjeve të tyre është se e drejta e lumturisë së individëve është një e
drejtë të cilës i duhet dhënë prioritet ndaj të drejtave tjera, sepse vetë
lumturia përfshin të drejtat themelore të çdo individi.
Lumturia për një individ nënkupton mirëqenie, siguri,
karrierë të suksesshme, pasuri dhe shumë të mira të tjera që e bëjnë një
individ të jetë i kënaqur dhe i lumtur. Sipas Bentham dhe Mills, lumturia është
vlera më e lartë për një individ dhe që ka më së shumti rëndësi për të, prandaj
lumturia është dobia më e madhe dhe si e këtillë duhet të mbrohet nga ligji e të
mos i cenohet askujt, përjashtimisht kur mbrohet dobia e përgjithshme e shoqërisë.
No comments:
Post a Comment